Globalisht rreth 1 milion specie janë në rrezik zhdukjeje, shumica prej tyre si pasojë e humbjes së habitatit, ndryshimeve klimatike dhe aktivitetit njerëzor. Kjo tregon qartë se bota natyrore po përballet me sfida serioze që kërkojnë vëmendje dhe veprime urgjente. Prandaj, sot me 3 mars shënohet ‘Dita Botërore e Jetës së Egër’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 2013, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së florës dhe faunës së egër në mbarë botën.
Kjo ditë ka për qëllim të theksojë rëndësinë që ka jeta e egër për ekuilibrin natyror, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e njerëzimit. Pyjet, oqeanet, lumenjtë dhe habitatet natyrore janë shtëpia e miliona specieve, të cilat luajnë rol kyç në ruajtjen e biodiversitetit dhe stabilitetit të klimës.
Megjithatë, shumë specie përballen me rrezik zhdukjeje për shkak të shkatërrimit të habitateve natyrore, gjuetisë, tregtisë së paligjshme, ndotjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Secili prej nesh mund të kontribuojë duke respektuar natyrën, duke reduktuar mbeturinat, duke kursyer burimet natyrore dhe duke mbështetur iniciativa që promovojnë zhvillim të qëndrueshëm.







