Holanda, zë vendin e parë në botë për njerëzit të cilët në baza ditore përdorin biçikletën si mjet transporti, mirëpo edhe kryerjen punëve të tyre të përditshme. Çiklizmi është një nga aktivitetet më të shëndetshme fizike por edhe mendore për njeriun. Çiklizmi ndihmon që të fitoni energji, të humbisni peshë, përmirësoni qarkullimin e gjakut dhe të ndjeheni më të relaksuar. Biçikletat elektrike, tashmë përdoren nga miliona njerëz në botë dhe sjellin përfitime të shumta por edhe disa mangësi:
Udhëheqësi i organizatës jo-qeveritare ‘Marakli t’biciklave’, Berat Rakovica, për Radio KFOR-in ndau disa nga përfitimet që sjellin biçikletat elektrike dhe disa nga disavantazhet e këtyre biçikletave:
“Biçikleta me rrymë është e përshtatshme, varësisht nga relievi i qyteteve apo vendbanimeve. Për shembull, në Prishtinë biçikleta me rrymë është adekuate, për shkak të relievit kodrinor-malor, pasi që me biçikletat sportive apo ‘city bike’, këto relieve nuk janë të përshtatshme. Po ashtu, një nga avantazhet e biçikletës me rrymë është se për një kohë më të shkurtër, mund të eksplorosh hapësirë më të madhe krahasuar me biçikleta të tjera. Një nga anët negative të biçikletave elektrike, është se është më pak ambientaliste, meqë duhet të karikohet në rrymë dhe për tu prodhuar rrymë në mënyrë indirekte krijohet ndotje.”
Mesazhi që z. Berati, ndau për të gjithë njerëzit, ishte që të mundohen të përdorin sa më shumë biçikleta në vend të veturave, për të mbrojtur ambientin dhe për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm.