‘Aksioni për Nëna dhe fëmijë’, tash e disa vite angazhohet në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve. Misioni i kësaj organizate është të edukojë, zhvillojë, avokojë fuqishëm dhe t’i japë përparësi të lartë aktiviteteve që do të zvogëlojnë shkallën e lartë të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave në Kosovë. Fushata ‘Dashniekujdes’, po organizohet për herë të dytë, për të ngritur fonde dhe për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe foshnjave të porsalindura.
Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Zyrtaren për Marrëdhënie me Publikun dhe Evente në këtë organizatë, znj. Hana Kurti, e cila foli për qëllimin e kësaj fushatë: “Kjo fushatë bëhet për të përkrahur nënat, mirëpo edhe foshnjat e lindura para kohe, sepse ata meritojnë kujdes dhe të kenë trajtimin esencial dhe të duhur për të gëzuar shëndet të mirë. Ne ftojmë sektorin privat, bizneset dhe kompanitë e ndryshme dhe këdo që mund të na mbështesë. Fondet e mbledhura do të përdoren për medikamente, pajisje mjekësore dhe gjëra të tjera që janë të nevojshme në repartin e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.”
Mesazhi i kësaj organizate është që të ndihmojë të gjithë njerëzit vullnetmirë në këtë kampanjë ku mund të përfshihen edhe qytetarët, nëpërmes telefonatave që do të realizohen me datën 6 dhjetor, live në televizionin Klan Kosova, në një emision special nga ora 20:45. Po ashtu, ata të cilët nuk mund ta ndjekin këtë emision mund të dhurojnë përmes vegëzës: https://amchealth.org/donate/
Organizata ‘Aksioni për nëna dhe fëmijë’, përgjatë viteve ka shpëtuar mbi 6.000 jetë të foshnjave, përmes medikamentit “Survanta”, nga inkubatorët që janë përdorur nga më shumë se 4.000 foshnje si dhe rreth 2.000 foshnje në vit, përdorin sistemin e oksigjenit si dhe pajisje të tjera mjekësore.