“Dita Botërore e Humanizmit” është një ngjarje ndërkombëtare e cila shënohet çdo vit më 19 gusht, në nderim të punonjësve humanitarë dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojat humanitare globale. “Dita Botërore e Humanizmit” u shpall nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2008, për të nderuar ata që humbën jetën në shërbim të ndihmave humanitare në sulmet ndaj zyrave të OKB-së në Bagdad, më 19 gusht, të vitit 2003, ku mbetën të vrarë 22 humanistë.
Shumë organizata ndërkombëtare dhe lokale në gjithë globin, përgjatë kësaj dite, nën moton “Vepro për Njerëzimin”, organizojnë dhe mbështesin aktivitete të ndryshme për të promovuar çështjet humanitare dhe për të reflektuar mbi sakrificat e bëra nga ata që ofruan dhe vazhdojnë të ofrojnë ndihma në kushte të rrezikshme si dhe për të nxitur solidaritet dhe mbështetje për përpjekje humanitare në gjithë botën.
Andaj për bamirësinë apo humanizmin mund të festojmë sot dhe çdo ditë tjetër, të shfaqim vlerat tona njerëzore dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, kurdo dhe kudo që të jetë e mundur.







