KFOR-i, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, organizoi një aksion për dhurim vullnetar të gjakut. Eventi u mbajt në kampin Film City në Prishtinë, ku pjesëtarë të kombësive të ndryshme që shërbejnë në kuadër të KFOR-it dhuruan gjak.
Për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe përfshirjen e pjesëtarëve të KFOR-it në këtë iniciativë, foli kapiteni i LMT (Liaison Monitoring Team) Federico Russotto.
“Unë jam kapiten Russoto nga “Liaison Monitoring Team” në Prishtinë. Ne, si KFOR, jemi krenarë që mbështesim këtëaksion të dhurimit vullnetar të gjakut. Është një kontribut i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Kosovë dhe çdo dhurim i gjakut shpëton jetën e dikujt. Siç thotë edhe slogani ynë – Mos harro, ti mund të bësh një ndryshim.”
Edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, dr. Bukurie Zhubi, theksoi rëndësinë e kësaj fushate dhe bashkëpunimit me KFOR-in.
“Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut në Kosovë, së bashku me KFOR-in kanë organizuar një aksion të dhurimit vullnetar të gjakut, me qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut. Bashkëpunimi ynë me KFOR-in zgjat prej shumë vitesh, dhe kjo iniciativë e fundit është edhe një dëshmi tjetër e këtij partneriteti të frytshëm. Me pjesëmarrjen e tyre, pjesëtarët e KFOR-it japin shembull personal dhe motivojnë të tjerët që t’i bashkohen këtij akti human dhe jetik.”
Përmes këtij aksioni, KFOR-i edhe një herë dëshmoi përkushtimin e tij për të ndihmuar njerëzit në Kosovë, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përmes veprimeve humanitare që ndihmojnë në shpëtimin e jetëve.







