Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur përgatitjet për projektin e parë të këtij viti, duke synuar ndërgjegjësim ndaj sëmundjeve të ndryshme si dhe duke trajtuar çështje të rëndësishme të shëndetit publik.
Shfaqja e parë e këtij viti do të prezantohet më 4 shkurt, në ‘Ditën Botërore Kundër Kancerit’ dhe vjen nën koreografinë e balerinit dhe koreografit të njohur, Sead Vuniqi. Ky projekt realizohet në bashkëpunim me organizatën Action for Health, një partneritet që simbolizon përkushtimin ndaj çështjeve jetike për shoqërinë.
Sipas përfaqësuesve të Action for Health, ky bashkëpunim është një dëshmi e fuqisë së artit për të ndikuar në një shoqëri më të ndjeshme dhe më të informuar. Ata e konsiderojnë këtë projekt si një akt të fuqishëm mbështetjeje për individët që përballen me sfida të mëdha shëndetësore.
Përmes artit dhe mesazheve të fuqishme që përcjell, Baleti Kombëtar i Kosovës synon të thyejë barrierat dhe të krijojë hapësirë për dialog mbi shëndetin publik dhe stigmatizimin, duke dëshmuar edhe njëherë rëndësinë e artit si forcë për ndryshim shoqëror.







