Baleti i Kosovës është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, i cili prej themelimit të tij ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe promovimin e artit skenik. Trupa e baletit ka sjellë në skenë vepra të autorëve vendorë e ndërkombëtarë, duke pasuruar jetën artistike të Kosovës me shfaqje të niveleve të larta profesionale.
Siç ka bërë të ditur ky institucion, prezantimin e radhës do ta ketë me 29 nëntor dhe 1 dhjetor, në Venecia dhe Potenza të Italisë, me kantatën skenike ‘Carmina Burana’, në kuadër të festivalit ‘Veneziaindanza International Festival’.
Ndërsa, sot me 18 shtator, Baleti i Kosovës nga ora 20:00, do të hapë sezonin e ri artistik me shfaqjen “Deadline”, me koreografi të Sead Vuniqit, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Sukseset e Baletit Kombëtar të Kosovës dëshmojnë përkushtimin ndaj artit dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta ngritur standardin e performancës, duke i dhënë publikut shfaqje që ndërthurin bukurinë, elegancën dhe emocionin.







