Emri i tij i vërtetë ishte, Ray Charles Robinson dhe lindi më 23 shtator, të vitit 1930 dhe në botë sot njihet si këngëtar, kompozitor, pianist dhe kompozitor Amerikan. Midis miqve dhe kolegëve muzikantë ai preferoi të quhej “Brother Ray”, mirëpo atë shpesh e quanin edhe “Gjeniu”. Charles ishte verbuar qysh në fëmijëri, për shkak të glaukomës.
Gjeniun ky fakt që nuk shihte, nuk e ndalo që të arrijë famë si artist dhe një muzikant, që ia doli të përziej rrymat e zhanreve të ndryshme të muzikës soul, RnB, muzikën gospel, pop dhe country, për të krijuar hite si: ‘Unchain My Heart’, ‘Hit The Road Jack’ dhe ‘Georgia On My Mind’. Ky ishte i mrekullueshmi, Ray Charles. Gjatë karrierës së tij, ai ka incizuar më shumë se 60 albume dhe ka performuar në më shumë se 10 mijë koncerte. Muzika që e përcolli deri në ditën e tij të fundit, bëri që të quhej ndryshe edhe si Babai i muzikës Soul.
Ray Charles, ishte shumë i ndikuar nga muzika e këngëtarëve James Brown dhe Nat King Cole, kjo dallohet edhe në këngët e tij të para. Me kohë ai gjeti muzikën e tij, shpirtin e tij artistik dhe në vitin 1949, ai lansoi singlin “Confesion Blues”, që konsiderohet ndër sukseset tij të para në top listat botërore, të muzikës R’n’B. Një ndër arritjet e tij ka qenë edhe fakti që me këngën ‘What I say’, arriti pozitën e 6 në top listat e muzikës pop, e gjithashtu mori vendin e parë në kuadër të top listave të muzikës R’n’B.
Në vitin 1960, Charles, fitoi çmimin e parë ‘Grammy’, për këngën ‘Georgia on My Mind”, që vazhdoi edhe me një çmim tjetër për këngën ‘Hit the Road Jack’. Një çmim tjetër ‘Grammy’, ai e fitoi edhe për interpretimin e këngës ‘Living for the city’, të këngëtarit Stevie Wonder. Karriera e tij vazhdoi me projekte filmike, kur u bë pjesë e komedisë ‘The Blues Brothers’, bashkë me aktorin shqiptar John Belushi dhe Dan Aykroyd. Disa vite më pas ai u bë ndër yjet e parë që u prezantua me një yll, në bulevardin e yjeve ‘Rock nRoll Hall Of Fame’
Viti 2003, është viti kur Ray Charles për herë të parë, në 53 vite karrierë, u detyrua të anulojë turneun e tij, kjo për shkak të një intervenimi në lidhje me shëndetin e tij. Për fat të mirë operimi përfundoi me sukses por vetëm pak kohë më pas Charles, kuptoi që vuante nga një sëmundje e mëlçisë. Nga kjo sëmundje edhe u shua.
Babai i muzikës soul, Ray Charles, ndërroi jetë me datën 10 qershor, të vitit 2004, duke lënë pas një thesar kulturor për të gjithë njerëzimin e posaçërisht për artdashësit.