Me zhvillimin e teknologjisë dhe dinamikës së jetës, në dekadat e fundit blerjet online janë trend i ri i përditshmërisë për miliona njerëz në gjithë botën. Zbulimi i internetit dhe avancimeve teknologjike ka ndryshuar mënyrën e blerjeve tona. Për të mësuar më shumë rreth aspekteve pozitive të blerjeve online, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me udhëheqësen e operacioneve në E-Comerce në kompanine Gjirafa.com, Gentiana Sahiti e cila tregoi më shumë rreth anëve pozitive të blerjeve online:
“Në ditët e sotme, blerjet online janë kursim i kohës dhe parave. Gjirafa50 duke qenë dyqani online me më së shumti produkte teknologjike në rajon, ofron mundësi të shumta për blerje online. Avantazhi i blerjeve online, qëndron në faktin që shërbimi që merrni online është shumë nivel më i lartë sesa shërbimi që mund të ofrohet fizikisht në dyqane fizike dhe klienti ka mundësi dhe kohë të bëjë zgjedhje, pa pasur presion për kohën apo komoditetin e tyre.”
Edhe pse blerjet online ofrojnë mundësi të shumta dhe e kanë bërë më të lehtë jetën për shumë njerëz në botë, ka edhe anë negative të blerjeve online siç mund të jenë: vonimi i porosive, pa mundësia për të parë fizikisht produktin para blerjes dhe mundësia për të bërë blerje më shumë se sa keni nevojë, për shkak se nuk keni ndjesinë që po shpenzoni sikur kur bleni fizikisht në dyqan.
Blerjet online kanë pasur një rritje drastike viteve të fundit për shkak të pandemisë CoViD-19. Sipas kompanisë ‘Statista’, vetëm në Amerikë në vitin 2021, pritet të ketë rreth 230 milion persona që do të blejnë produkte në internet.