Sipas UNHCR, mbi 120 milionë njerëz në të gjithë botën janë aktualisht të zhvendosur me forcë nga vendet ku jetojnë, prej të cilëve rreth 40 milionë janë refugjatë të njohur ndërkombëtarisht. Shumica jetojnë në vendet në zhvillim, shpesh në kushte të vështira dhe me qasje të kufizuar në ndihma humanitare dhe të drejta bazike.
Me 20 qershor, bota ndalet për të reflektuar mbi jetën, sfidat dhe guximin e miliona refugjatëve që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, dhunës, persekutimeve, fatkeqësive natyrore apo rrethanave tjera. ‘Dita Botërore e Refugjatëve’, është një mundësi për të treguar solidaritet dhe për të kujtuar se askush nuk zgjedh të bëhet refugjat, porse kjo është një nevojë për të mbijetuar.
Kjo ditë është caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe për herë të parë u shënua në vitin 2001, në përvjetorin e 50-të të Konventës së OKB-së për Statusin e Refugjatëve të vitit 1951.
Këtë vit, theksi vihet në rëndësinë e përfshirjes së refugjatëve në komunitetet që i presin në edukim, punësim dhe vendimmarrje me temën ‘Shpresa larg shtëpisë’.







