Doruntina Ukimeri do të sjell para publikut “Çejzin” (Pajën) e saj artistike përmes një ekspozite, me anë të së cilës do të tregoj se si ka ndryshuar kjo traditë të cilën vajzat e kanë përgatitur që në moshë të re, para se të martoheshin.
Artistja Ukimeri risjell “Çejzin” përmes filigranit të letrës, me figura të ndryshme që shpesh janë gjetur në punimet e “çejzit”, tek puna e dorës së grave të reja para martesës së tyre, mirëpo në një prononcim për Radio KFOR-in, artistja Doruntina na tregoi më shumë rreth kësaj ekspozite.
“Çejzi që do të ekspozohet sonte (12.02.19) në galerinë Motrat dhe është i punuar nga filigrani me letër. Elementet e çejzit janë: jelekë, çorape, tentene, goblenë dhe janë risjellur me një mënyrë të re të interpretimit. Unë e kam zgjedhur me e trajtu çejzin si një traditë shumë të vjetër, që vazhdon dhe ekziston ende, por që është transformuar me ndryshimin e mënyrës së jetesës”, tha Ukimeri për Radio KFOR-in.
Ekspozita do të mbahet në hapësirat e qendrës artistike “Motrat”, prej orës 19:00 dhe do të jetë e hapur prej dates së sotme 12 deri më 20 shkurt. Projekti është bërë i mundur nga Trashëgimia Kulturore pa Kufinj Kosova, përmes platformës Heritage Space.