Njëra ndër bienalet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë ‘Manifesta 16 Ruhr’, është hapur në rajonin Ruhr të Gjermanisë, duke sjellë për më shumë se 100 ditë një program të gjerë me ekspozita, instalacione, performanca dhe aktivitete publike.
Edicioni i sivjetmë i bienales zhvillohet nga 21 qershori deri më 4 tetor, 2026, në qytetet: Duisburg, Essen, Gelsenkirchen dhe Bochum.
Në këtë edicion marrin pjesë mbi 100 artistë dhe kolektive nga rreth 30 shtete të botës, përfshirë edhe 64 projekte të reja të realizuara posaçërisht për bienalen. Tema qendrore e këtij viti lidhet me ripërdorimin e hapësirave publike dhe krijimin e vendeve të reja të dialogut përmes artit bashkëkohor.
Nga Kosova, pjesë e kësaj ngjarjeje prestigjioze është artistja Albe Hamiti, e cila prezanton projektin e ri të porositur enkas për Manifesta 16 me titull “De-Life”.
Pjesëmarrja e Albe Hamitit në ‘Manifesta 16’ konsiderohet një tjetër dëshmi e prezencës dhe suksesit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke e vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore evropiane.
Manifesta, e njohur si Bienalja Nomade Evropiane, organizohet çdo dy vjet në një shtet të ndryshëm të Evropës dhe sivjet ajo shënon 30-vjetorin e themelimit të saj.







