Periudha e fund vitit është pjesa e vitit ku festojmë më shumë, e festë pa artistët tanë, nuk mund të ketë. Sot nga Radio K4-i, ju prezanton një artiste tjetër shumë premtuese, një zë i bukur që pasionin për muzikën e zhvillon qysh në moshën e hershme. Është këngëtarja, Eriona Rama, e cila përveç që studion muzikën, gjithashtu është pjesë e Korit Siparantum, një projekt i bukur që ka bërë bashkë shumë artistë nga Kosova.
Eriona në një intervistë për Radio K4-in, i ka uruar të gjithë për një vit më të mirë: “Meqë jemi në prag të Vitit të Ri, dua fillimisht ti uroj të gjithë për një vit më të mirë, për më shumë dashuri dhe muzikë në vitin tjetër. Viti që po lëmë pas, ka qenë sfidues, por jam shumë e lumtur për përvojat e reja që i kam shijuar, sidomos me Korin Siparantum. Ishim pjesë e garave të ndryshme ku dolëm edhe triumfues, me performanca në shumë vende të botës si në: Itali, Belgjikë, Gjermani, Francë, Kroaci dhe shumë vende të tjera. Shpresoj edhe të respektohen masat kundër Covid-19, sepse ky virus na ka nxjerrë edhe shumë probleme.”
Eriona, përveç aktiviteteve që përmendëm, është shumë aktive edhe në rrjete sociale, ku performon këngët e saja të preferuara në versione ‘Cover’.