Diva e kohëve moderne, një ndër vokalet më unike që ka njohur skena muzikore e gjithashtu një inspirim për të gjithë, kjo është artisja ditës së sotme në Radio KFOR, Beyonce Knowles-Carter. E lindur dhe e rritur në Hjuston të Teksasit, Beyonce, ishte pjesë e shumë garave të këndimit dhe të vallëzimit, qysh nga mosha 7 vjeçare. Ajo ishte edhe soliste në korin kishtar.
Në fillimet e saj drejt një karriere të suksesshme, ajo kishte formuar grupin Girl`s Tyme, në të cilin bënin pjesë edhe Kelly Rowland dhe LaTavia Robertson, ky grup ishte vetëm hapi i parë drejt famës të cilën vajzat më pas e arritën me grupin Destiny`s Child. Beyonce ishte lidere e këtij grupi, i cili arriti suksesin si një ndër grupet me më së shumti shitje të albumeve në gjithë botën.
Muzika ka qenë shoqëria më e mirë për Beyonce, e cila pas suksesit me grupin Destiny`s Child, vazhdoi edhe karrierën si solo artiste. Pas hiteve rekorde të një pas njëshme, këngët e saj u bënë inspirim për miliona njerëz në tërë botën.
Këngëtarja është inspiruar nga më të mëdhenjtë e muzikës, e gjithashtu i ka nderuar në performancat e saj, vlen të përmendet koncerti që iu dedikua veprës së Tina Turner, ku sytë të gjithë i kishin tek Beyonce si pasuese e fronit të saj. Përkundër afërsisë më Turner, Beyonce ka treguar në shumë intervista që këngëtari i saj i preferuar është Stevie Wonder, kurse tek bota e filmit, ajo pëlqen aktorin Tom Hanks.
Ajo ka pranuar edhe një yll në bulevardin ‘Hollywood Walk Of Fame’, në vitin 2006, si nderim drejt veprës së saj, e gjithashtu është klasifikuar si artistja më e paguar për minutë, pasi u pagua 1.25 miliona funta, vetëm për një performancë 5 minuta.
Beyonce dhe burri i saj Jay-Z (Shawn Corey Carter), kanë tre fëmijë së bashku – vajza e tyre e madhe, Blue Ivy dhe binjakët Rumi dhe Sir.