Federata e Autosporteve të Kosovës (FASK), organizoi garën automobilistike “Drag race”, e cila u mbajt gjatë vikendit me datat 4 dhe 5 Gusht.
Të pranishëm në këtë aktivitet sportiv ishin afër 150 garues me veturat e tyre, për të marrë pjesë në kategori të ndryshme, si: FWD , AWD dhe RWD.
Për mbarëvajtjen e kësaj gare Radio KFOR-i, kontaktoi fituesin e vendit të parë të ‘Prishtina Racing Cars 2018’, në kategorinë FWD /15 sec, Arlind Ramadanin.
“Kishim numër të madh të garuesve, filloi të errësohej dhe ishte e pamundur të zhvillohej gara, sepse kishte vetura të modifikuara, të cilave u mungonin dritat për shkak të modifikimeve te tyre, mirëpo Federata e Autosporteve të Kosovës sot do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme me garuesit të cilët nuk kanë mundur ta mbajnë garën dhe së bashku do të vendosin për ditën e vazhdimit të kësaj gare.”
Këtë vite gjithsej janë 4 gara “Drag race” të vlefshme për Kampionatin e Kosovës në Automobilizëm, ku tre prej tyre veç se janë mbajtur, kurse gara e katërt dhe e fundit do të realizohet në fillim të muajit Tetor.
“Përveç “Drag race”, Federata e Autosporteve të Kosovës organizon edhe gara të tjera siç janë : Auto Slalom, Auto karting, Drift Race, Hill climb , Off road.”Në fund të bisedës, z. Ramadani kishte edhe një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it.
“Federata e Autosporteve të Kosovës, u bënë lutje të gjithë vozitësve që të vozisin me kujdes dhe të vetëdijësohen në komunikacion. Të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e shpejtësisë, FASK ua ka mundësuar pistën e vjetër të Aeroportit për shfrytëzim, e cila ofron siguri për secilin garues.”