Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 242 vjetorin e Pavarësisë, deklarata e të cilës u nënshkrua më 4 korrik të vitit 1776 nga delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës.
Ky dokument u hartua nga 32 vjeçari Tomas Xheferson, ku njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara kurse dokumenti tjetër është Kushtetuta.
Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare.
Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studiojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri-tjetrin.