Edhe muaji mars, po na sjellë ngjarje të ndryshme kulturore dhe janë të shumta aktivitetet që priten të zhvillohen edhe gjatë ditëve në vijim…
– Sonte (16.03.23), Opera e Kosovës organizon shfaqjen operistike ‘Flauti Magjik’, në Klan Arena, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00. Shfaqja në fjalë është një operë në dy akte, nga Wolfgang Amadeus Mozart e shkruar mbi një libret në gjuhën gjermane, nga Emanuel Schikaneder.
– Në mbrëmje (16.03.23), në teatrin Oda, do të shfaqet shfaqja “Arbri”, nën tekstin dhe regjinë e Lirak Çelaj, nga ora 20:00, ku në rolet e tyre do të paraqiten: Shkumbin Istrefi, Qendresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Markaj, Blend Sadiku. Repriza e kësaj shfaqje do të jepet edhe me datën 30 mars.
– Po në teatrin Oda, me datën 20 mars, do të shfaqet shfaqja “Stiffler”, me tekst nga Dori Basha, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Rebeka Qena, Adrian Morina dhe Armend Smajli, është Integra, ajo e cila ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili paraqet jetën dhe sfidat e një punëtoreje seksi, duke trajtuar një çështje të ndjeshme që ka të bëjë me të drejtat dhe trajtimin e këtij grupi të margjinalizuar në shoqërinë tonë.
– WoALUG ka hapur garën e fotografisë së ushqimit tradicional shqiptar, e cila do të zgjasë deri më 17 mars, të vitit 2023. Aty ftohen të gjithë dashamirësit e kulinarisë, pastiçierë, kuzhinierë amatorë e profesionistë apo fotografë, që të marrin pjesë në këtë garë duke fotografuar ushqime, pije dhe pjata tradicionale shqiptare. Pjesëmarrësit do t’i ngarkojnë fotografitë, në Wikimedia Commons.
Wikimedia Commons është projekt simotër i Wikipedia-s, që shërben si depo digjitale për mbledhjen e materialeve multimediale me licencë të lirë.