Aktivitete të shumta kulturore, pritet që të zhvillohen këtë vikend dhe përgjatë javës së ardhshme në fusha të ndryshme.
Mountain Bikers Prishtina, në bashkëpunim me Federatën e Çiklizmit të Kosovës, organizojnë garë në çiklizëm, në disiplina ‘DownHill’. Kjo garë është e karakterit internacional dhe është e hapur për pjesëmarrje individuale dhe grupore. Aktiviteti do të zhvillohet në parkun e Gërmisë, në datat 12 dhe 13 nëntor. Pjesëmarrësit do të garojnë për tre vendet e para dhe obligohen që t’i kenë pajisjet mbrojtëse (helmetë, dorëza).
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë, Qendra ‘Akropoli i Ri’ në Prishtinë, organizon konferencën me temë ‘Miti i Shpellës’, një nga kryeveprat e Platonit. Konferenca do të organizohet në hapësirat e qendrës ‘Akropoli i Ri’, me 15 nëntor nga ora 18:30.
Aktiviteti tjetër që na pret javën e ardhshme, ka të bëjë me filmin francez. Në Kino Armata, me 16 nëntor, do të nisë edicioni i njëzet e dytë i ‘Festivalit të Filmit Frankofon’, në Kosovë. Ky edicion do të fillojë me filmin komedi-dramë ‘France’, nga Bruno Dumont. Filmi ndjek jetën e një gazetareje televizive, e kapur në një spirale ngjarjesh që do ta çojnë në rënien e saj dhe për herë të parë u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë.