Në çdo fluturim të sigurt, pas çdo ngritjeje dhe uljeje pa probleme, qëndron një rrjet i gjerë profesionistësh dhe sistemesh të organizuara me përpikëri. Njëra prej hallkave më të rëndësishme në këtë zinxhir, është Shërbimi i Informacionit Aeronautikë – AIS.
Me rastin e ‘Ditës Ndërkombëtare të AIS-it’, Radio KFOR-i, mori një prononcim nga Udhëheqësi i Shërbimit të Informacionit Aeronautikë, në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, z. Beni Bajrami, i cili me këtë rast tha: “Dita e AIS-it është një mundësi për të theksuar rolin jetik që ka informacioni aeronautikë në sigurinë e aviacionit. Shërbimi ynë siguron që të gjithë përdoruesit e hapësirës ajrore të kenë qasje në të dhëna të sakta, të përditësuara dhe të harmonizuara –faktor kyç këta për operacione të sigurta dhe efikase. Kjo ditë e AIS-it është edhe një moment reflektimi dhe planifikimi për të ardhmen – për të parë çfarë kemi arritur dhe si mund të evoluojmë drejt sistemit AIM (Aeronautical Information Management), duke përqafuar digjitalizimin dhe standardet e reja ndërkombëtare.”
Nga shpërndarja e informacionit të përditësuar për pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror, deri te sfidat e digjitalizimit dhe përfshirja në rrjetin global të AIM-it (Aeronautical Information Management), kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi punën që shpesh mbetet në hije, por pa të cilën aviacioni modern nuk mund të funksionojë.
Gëzuar përvjetori AIS – falë punës suaj, qielli është më i sigurt!







