Ka qenë vetëm 12 vjeçare kur ka nënshkruar kontratën e parë me studion regjistruese ‘Jive Records’, për t’u kthyer shpejt në një nga emrat që do të dominojnë në zhanrin R&B. Është fjala për këngëtaren Aaliyah, e cila sot ka zënë vend në rubrikën tonë “Artist of the day”.
Këngëtarja dhe aktorja Aaliyah Dana Haughton, ka lindur më 16 janar, të vitit 1979, në Brooklyn, të New York-ut. Në vitin 1994, kur këngëtarja ishte vetëm 15 vjeçare, debutoi me albumin “Age Ain’t Nothing But a Number”, këngët e të cilit ‘goditën’ tregun dhe pozitat më të larta të top listave të zhanrit R&B. Albumi me producent, këngëtarin R.Kelly, shumë shpejt u shit në 2 milion kopje, ndërsa një vit më vonë mediat u mbushën me titujt pretendues se adoleshentja Aaliyah, ishte martuar me 27 vjeçarin R. Kelly. Në vitin 1997, Aaliyah ,solli albumin “One in a Million”, që u shit po ashtu në mbi 2 milion kopje dhe ky ishte viti kur këngëtarja u bë edhe më e famshme falë hiteve të shumta, ndër to edhe kënga “Journey to the Past”, që u nominua edhe nga ‘Academy Awards’, për muziklin e filmit të animuar “Anastasia”. Këngëtarja e këndoi këngën në fjalë edhe në ceremoninë e 70-të të ndarjes së çmimeve ‘OSCARS’.
Në vitin 2000 Aaliyah bëri debutimin e saj edhe si aktore, teksa u shfaq në filmin “Romeo Must Die”. Ajo gjithashtu ishte producente ekskluzive e kolonës zanore të filmit në fjalë, me këngën “Try Again” . Kjo këngë u shpërblye me dy çmime nga “MTV Music Video”. Albumi i tretë në karrierë i Aaliyah, ishte ai i korrikut të vitit 2001, të cilin e emëroi nën emrin e saj “Aaliyah”, me të cilin këngëtarja zuri vendin e dytë të radhitjes në top listat e Billboard, për albumet më të shitura dhe më të dëgjuara. Ylli që po bënte bujë dhe po shkruante historinë, u shua ne mënyrë tragjike më 25 gusht, të vitit 2001, kur një aeroplan i vogël pasagjerësh, në të cilin ndodhej këngëtarja u përplas dhe shpërtheu në flakë duke e lënë të vdekur këngëtaren 22 vjeçare, stafin që ishin shkuar për të xhiruar për albumin e ri si dhe të gjithë ekuipazhin që ndodheshin në aeroplan.
Me një karrierë të bujshme të cilin e ka filluar qysh nga mosha 12 vjeçare, Aaliyah ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe industrinë e muzikës, në zhanrin R&B.