Nga veturat që synojnë të ngrihen në ajër dhe të tejkalojnë trafikun e ngjeshur rrugor, te dronët që furnizohen me energji përmes lazerit, shkenca edhe këtë javë ka sjell inovacione që duken si të dala nga filmat fantastik-shkencorë. Një nga projektet më të pazakonta të kësaj jave që e lamë pas, është Tesla Roadster i ri, i cili synon të sjell performanca ekstreme dhe manovra të mundshme në ajër dhe tokë, përmes një sistemi shtytës të lidhur me teknologjinë e SpaceX. Megjithatë, këto aftësi mbeten për t’u demonstruar edhe më shumë në praktikë, ndërsa realizimi i tyre vazhdon të jetë një sfidë teknologjike.
Nga ana tjetër, një zhvillim interesant vjen nga PowerLight Technologies, e cila po punon në një sistem që transmeton energji përmes lazerit drejt dronëve. Kjo teknologji synon t’u mundësojë dronëve të qëndrojnë në ajër për periudha shumë më të gjata, pa pasur nevojë për ulje të shpeshta për rimbushjen apo karikimin e baterive.
Edhe industria e ndërtimit mund të përfitojë nga inovacionet shkencore. Bio-betoni, i zhvilluar nga mikrobiologu holandez Hendrik Jonkers, përdor baktere që aktivizohen kur uji depërton në çarje të betonit. Procesi ndihmon në formimin e karbonatit të kalciumit, i cili mund të mbushë çarjet e vogla dhe të zgjasë jetëgjatësinë e strukturave të betonit.
Në fushën e shëndetësisë, shkencëtarët në Universitetin A&M të Teksasit po studiojnë gjithashtu një trajtim eksperimental përmes sprejit nazal, që synon të ndikojë në inflamacionin e trurit dhe në funksionet e kujtesës. Rezultatet paraprake janë premtuese, por ende nevojiten studime klinike për të vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin e tij te njerëzit.







