Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ReMusica rikthehet me edicionin e tij të 25-të, i cili fillon nga daata e sotme 26 tetor dhe do të vazhdojë deri më 1 nëntor 2026, në Prishtinë, me aktivitete edhe në Prizren. Nën temën ‘Continuum’, festivali synon të sjellë para publikut muzikën klasike dhe bashkëkohore, duke bashkuar artistë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Programi sonte fillon në orën 19:30, në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, me koncertin e kitaristit Thibaut Garcia dhe akordeonistit Félicien Brut. Gjatë ditëve në vijim, publiku do të ketë mundësi të ndjekë performanca të ansambleve dhe muzikantëve të ndryshëm si dhe aktivitete edukative për fëmijë, diskutime dhe takime profesionale që synojnë mbështetjen e artistëve të rinj.
Një nga veçoritë e këtij edicioni është programi që lidh skenën muzikore të Prishtinës me atë të Prizrenit, duke krijuar hapësirë për shkëmbim artistik dhe zhvillimin e muzikës bashkëkohore. I themeluar në vitin 2002, ReMusica është shndërruar në një nga platformat e rëndësishme të muzikës klasike dhe bashkëkohore në Kosovë dhe rajon. Edicioni jubilar do të përmbyllet më 1 nëntor, në Prishtinë.







