Më 24 tetor shënohet “Dita e Kombeve të Bashkuara”, që rikthen në vëmendje rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe kontributin e saj në promovimin e paqes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Kjo ditë shënohet në mbarë botën përmes aktiviteteve të ndryshme, përfshirë diskutime, koncerte, aktivitete informuese dhe ngjarje që synojnë të sjellin në vëmendje punën e OKB-së dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve.
OKB-ja zyrtarisht u krijua më 24 tetor, të vitit 1945, pas ratifikimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të parandaluar konfliktet dhe për të nxitur zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Gjatë dekadave, puna e OKB-së është shtrirë në fusha të shumta, përfshirë shëndetësinë, ushqimin, arsimin, të drejtat e njeriut, ndihmën humanitare dhe mbështetjen për refugjatët.
Simboli i OKB-së me hartën e botës të rrethuar nga degë ulliri, përfaqëson një nga mesazhet kryesore të organizatës: paqen dhe bashkëpunimin mes popujve.







