Më shumë se 70 milionë njerëz të shurdhër në mbarë botën përdorin mbi 300 gjuhë të ndryshme të shenjave. Kjo është një nga arsyet pse çdo 23 shtator shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e tyre dhe për të drejtat e komunitetit të të shurdhërve.
Gjuhët e shenjave nuk janë thjesht një mënyrë për të komunikuar, por janë gjuhë të plota dhe natyrore, me gramatikë dhe strukturë të veçantë, të ndryshme nga gjuhët e folura. Ato ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe janë pjesë e identitetit dhe kulturës së komuniteteve të të shurdhërve.
Dita e sotme na kujton se qasja në gjuhën e shenjave është pjesë e të drejtës për komunikim, arsimim dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.







