Sot më 8 shtator, shënohet ‚Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit‘, e shpallur nga UNESCO në vitin 1966, me synimin për të rikujtuar rëndësinë e arsimimit si e drejtë themelore e njeriut dhe si faktor i rëndësishëm për zhvillimin e individit dhe gjithë shoqërisë. Shkrim-leximi nuk nënkupton vetëm aftësinë për të lexuar dhe shkruar, mirëpo lidhet edhe me mundësinë për të fituar njohuri, për të komunikuar, për të marrë vendime dhe për të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore.
Sipas UNESCO-s, miliona njerëz në mbarë botën ende përballen me vështirësi në lexim dhe shkrim, ndërsa pabarazitë në qasjen ndaj arsimit prekin veçanërisht fëmijët, gratë dhe komunitetet më të cenueshme.
Në epokën digjitale, shkrim-leximi përfshin edhe aftësinë për të kuptuar, analizuar dhe përdorur informacionin në mënyrë të përgjegjshme. Kjo e bën atë veçanërisht të rëndësishëm në një kohë kur informacioni është gjithnjë e më i pranishëm dhe dezinformimi përhapet me shpejtësi. Data e sotme na shërben si një kujtesë për rëndësinë e arsimit cilësor, qasjes së barabartë në të mësuar dhe mundësive për edukim gjatë gjithë jetës. Shkrim-leximi mbetet një nga bazat mbi të cilat ndërtohen pavarësia, mundësitë dhe zhvillimi i një shoqërie të zhvilluar e të përparuar.







