Alzheimeri mund të ndikojë gradualisht në kujtesë, të menduar dhe në aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme. Për këtë arsye, njohja e shenjave të hershme dhe konsultimi me profesionistë të shëndetësisë janë të rëndësishme. Andaj sot, më 21 shtator shënohet ‘Dita Botërore e Alzheimerit’, një datë që synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj një prej sëmundjeve më të përhapura që prek kujtesën dhe aftësitë njohëse. Kjo ditë shërben si një thirrje për më shumë ndërgjegjësim, informim dhe mbështetje për personat që jetojnë me alzheimer, por edhe për familjarët dhe kujdestarët e tyre.
Në mbarë botën, kjo ditë shoqërohet me aktivitete dhe fushata informuese që synojnë të luftojnë keqkuptimet dhe stigmatizimin rreth sëmundjes.
Mesazhi i kësaj dite është i qartë, pas çdo diagnoze ka një person që ka nevojë për respekt, kujdes dhe mbështetje. Duke folur më shumë për alzheimerin dhe duke rritur ndërgjegjësimin në shoqëri, ne mund të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi më të mirë për të prekurit dhe familjet e tyre. Sepse të kujdesesh për dikë do të thotë të mos e lejosh të ndihet i harruar.







