Një në katër njerëz në botë ose rreth 2.1 miliardë persona, nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt. Shifra tregon se ajo që për shumë prej nesh është një gjë e zakonshme, hapja e rubinetit dhe pirja e ujit për miliona njerëz mbetet ende një sfidë e përditshme.
Pikërisht për të theksuar këtë dukuri, nga data 24 deri më 28 gusht, vëmendja ndërkombëtare përqendrohet te ‘Java Botërore e Ujit’, një nga ngjarjet kryesore globale kushtuar ujit dhe të ardhmes së burimeve ujore.
Gjatë kësaj jave diskutohen çështje të rëndësishme, si ndryshimet klimatike, thatësirat, mbrojtja e ujërave dhe mënyrat për të siguruar qasje më të barabartë në ujë të pastër.
Uji është thelbësor për jetën, shëndetin, ushqimin dhe zhvillimin e çdo shoqërie. Prandaj, ‘Java e Ujit’ shërben edhe si një kujtesë se mbrojtja e ujit nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e secilit prej nesh.







