Nga inteligjenca artificiale te energjia e pastër dhe teknologjitë e avancuara të prodhimit, studiuesit po prezantojnë vazhdimisht risi që synojnë ta bëjnë botën më efikase, më të qëndrueshme dhe më të sigurt.
Shkencëtarët kanë zhvilluar një metodë të re që shndërron dioksidin e karbonit dhe mbetjet industriale në hidrogjen të gjelbër. Procesi kap CO₂ dhe e transformon atë në kalcit, një mineral me vlerë për industrinë, duke prodhuar njëkohësisht karburant të pastër. Studiuesit besojnë se kjo teknologji mund të ndihmojë në uljen e ndotjes dhe prodhimin më efikas të energjisë së rinovueshme.
Në anën tjetër, një ekip studiuesish në Japoni ka zhvilluar një model të ri të inteligjencës artificiale që analizon vetëm momentet më të rëndësishme të një videoje, në vend që të përpunojë çdo kuadër. Kjo e ul kohën e analizës së një videoje dyminutëshe nga 52 në vetëm 18 sekonda, duke kursyer burime kompjuterike dhe duke rritur saktësinë.
Teknologjia po i thotë jo falsifikimeve, ku studiuesit kanë zhvilluar një teknologji të re për etiketa sigurie që vendosen në produkte për të vërtetuar origjinalitetin e tyre. Këto etiketa reagojnë ndaj dritës dhe temperaturës, ndërsa mund të skanohen me një telefon inteligjent për të konfirmuar nëse produkti është origjinal apo i falsifikuar. Në testime, sistemi arriti një saktësi prej rreth 97.5% në identifikimin e kopjeve false. Teknologjia pritet të përdoret në sektorë si farmaceutika, ushqimi, kozmetika dhe mallrat e konsumit për të luftuar falsifikimin.
Një tjetër zbulim thotë se shkencëtarët kanë zhvilluar një metodë të re për përmirësimin e transistorëve ultra të hollë, duke optimizuar ndërfaqen atomike mes materialeve. Zgjidhja premton çipa më të vegjël, më të shpejtë dhe më efikas në konsum të energjisë, duke kapërcyer një nga pengesat kryesore në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të procesorëve.







