Të rinjtë janë një nga forcat kryesore të zhvillimit të shoqërisë, ndërsa investimi në arsim, punësim dhe pjesëmarrje aktive mbetet thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme. Çdo vit, më 12 gusht, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Rinisë”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen të rinjtë në mbarë botën. E shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), kjo ditë shërben si një platformë për të promovuar dialogun mes institucioneve, organizatave rinore dhe shoqërisë civile si dhe për të vlerësuar kontributin e të rinjve në ndërtimin e komuniteteve më gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme.
Tema e këtij viti “Kontekste të ndryshme, aspirata të përbashkëta”, thekson se, pavarësisht dallimeve mes vendeve dhe kushteve në të cilat jetojnë, të rinjtë ndajnë të njëjtat synime: arsim cilësor, mundësi punësimi, pjesëmarrje në vendimmarrje, barazi dhe një të ardhme të sigurt.
“Dita Ndërkombëtare e Rinisë” është një kujtesë se mbështetja e të rinjve përmes arsimit, zhvillimit të aftësive dhe krijimit të mundësive të barabarta është një investim i domosdoshëm për të ardhmen e çdo shoqërie.







