Nga data 1 deri më 7 gusht, në mbarë botën shënohet ‘Java Botërore e Ushqyerjes me Gji’, një fushatë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ushqyerjes me gji dhe përfitimet e saj për shëndetin e foshnjave dhe nënave. Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se qumështi i nënës është ushqimi më i plotë për foshnjat, pasi siguron lëndët ushqyese dhe antitrupat e nevojshëm për forcimin e imunitetit, mbrojtjen nga infeksionet dhe zhvillimin e shëndetshëm fizik e mendor. Kjo javë shërben gjithashtu si një thirrje për më shumë mbështetje ndaj nënave, duke nxitur institucionet, punëdhënësit dhe familjet të krijojnë kushte që u mundësojnë grave të vazhdojnë ushqyerjen me gji edhe pas rikthimit në vendin e punës.
Sipas ekspertëve të shëndetit, investimi në promovimin dhe mbështetjen e ushqyerjes me gji, është një nga mënyrat më efektive për t’u siguruar fëmijëve një fillim të shëndetshëm në jetë.







