Me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë edhe mashtrimet në internet po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Nga SMS-at mashtrues dhe videot e krijuara me teknologjinë “deepfake”, deri te vjedhja e llogarive online dhe aplikacionet që mbledhin të dhëna personale, ekspertët paralajmërojnë se siguria digjitale mbetet një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Një nga format më të përhapura të mashtrimit janë mesazhet SMS që njoftojnë për pako të padorëzuara, fatura të papaguara ose llogari bankare të bllokuara. Me ndihmën e inteligjencës artificiale, këto mesazhe po bëhen gjithnjë e më bindëse, duke rritur rrezikun që përdoruesit të bien pre e mashtruesve.
Ekspertët këshillojnë që të mos hapen lidhje nga numra të panjohur dhe të mos ndahen asnjëherë të dhënat bankare apo kodet e verifikimit. Një tjetër kërcënim serioz janë videot dhe regjistrimet audio të krijuara me teknologjinë “deepfake”. Programet moderne mund të kopjojnë fytyrën dhe zërin e një personi brenda pak sekondash, duke krijuar përmbajtje që duket plotësisht autentike. Raportet ndërkombëtare tregojnë se rastet e mashtrimeve me këtë teknologji janë rritur me mbi 2 mijë e 100 për qind që nga viti 2022. Përveç sulmeve kibernetike, ekspertët tërheqin vëmendjen edhe ndaj aplikacioneve mobile që mbledhin sasi të mëdha të dhënash personale, përfshirë vendndodhjen, kontaktet, mikrofonin dhe kamerën. Për këtë arsye rekomandohet që përdoruesit të kontrollojnë rregullisht lejet që u japin aplikacioneve dhe të fshijnë ato që nuk i përdorin.
Ekspertët e sigurisë kibernetike këshillojnë gjithashtu përdorimin e fjalëkalimeve të forta dhe unike për secilën llogari, aktivizimin e verifikimit me dy faktorë dhe shmangien e klikimit në lidhje të dyshimta.
Në një botë ku çdo klikim lë gjurmë, vetëm pak sekonda kujdes mund të bëjnë dallimin mes sigurisë dhe mashtrimit.







