Edicioni më i madh në historinë e Sunny Hill Festival është gati të nisë. Nga 31 korriku deri më 2 gusht, Prishtina do të mirëpresë dhjetëra mijëra vizitorë nga e gjithë bota në një festival që këtë vit sjell një kombinim spektakolar të superyjeve të muzikës pop, elektronike, hip-hop dhe artistëve më të njohur shqiptarë.

Në krye të programit janë tre emra që premtojnë net të paharrueshme: Katy Perry, një nga ikonat më të mëdha të pop-it botëror me hite si Firework, Roar dhe Dark Horse, Martin Garrix, DJ dhe producenti holandez që vazhdon të mbushë skenat më të mëdha të botës me himne si Animals dhe High on Life si dhe Lewis Capaldi, këngëtari skocez që ka prekur miliona fansa me baladat e tij emocionale, përfshirë Someone You Loved dhe Before You Go.


Për adhuruesit e muzikës elektronike, line-up-i është po aq mbresëlënës. Në Prishtinë vijnë Keinemusik, përfaqësuar nga Adam Port dhe Rampa, dy prej emrave më të kërkuar të momentit në skenën house dhe afro-house. Atij i bashkohen PAWSA, Seth Troxler dhe Carlita, artistë që performojnë rregullisht në festivalet më prestigjioze si Tomorrowland, Coachella dhe Ibiza, duke e kthyer Sunny Hill edhe këtë vit në një destinacion të rëndësishëm për muzikën elektronike.
Pjesë e festivalit do të jetë edhe fenomeni turk Manifest, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të shijojë edhe performancën e reperit italian Blanco, një prej artistëve më të suksesshëm të viteve të fundit në Evropë.
Edhe artistët shqiptarë do të kenë një rol të rëndësishëm në këtë edicion. Në skenat e festivalit do të ngjiten Dhurata Dora, Lumi B, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, Asgjë Sikur Dielli, Gjin, Lerdi Vula, Eko, Bana Zahiti, Roya, Ereza, Hawolf, The Milk Snatchers, SYTË, Rreze dhe shumë emra të tjerë që përfaqësojnë skenën moderne muzikore shqiptare, nga popi e hip-hopi deri te rock-u alternativ dhe muzika indie.
Festivali do të zhvillohet në Sunny Hill Festival Park, me disa skena të dedikuara për zhanre të ndryshme muzikore, një produksion modern me teknologji të avancuar të ndriçimit dhe zërit, zona gastronomike, aktivitete argëtuese dhe ambiente çlodhëse që synojnë t’u ofrojnë vizitorëve një eksperiencë të plotë, përtej koncerteve.
Pas edicioneve historike me artistë si Dua Lipa, Shawn Mendes, Burna Boy, Peggy Gou, Stormzy, Calvin Harris, Diplo dhe Miley Cyrus, Sunny Hill ka fituar statusin e një prej festivaleve më të rëndësishme në Evropën Juglindore. Me programin e sivjetmë, organizatorët synojnë ta çojnë festivalin në një tjetër nivel, duke e shndërruar Prishtinën për tri net me radhë në një nga qendrat më të rëndësishme të muzikës live në kontinent.








