Rruga drejt finales së Kupës së Botës ka dhuruar dy gjysmëfinale që do të mbahen mend gjatë. Fillimisht ishte radha e Spanjës, e cila zhvilloi një paraqitje autoritare ndaj Francës dhe triumfoi me rezultat 2 me 0. Me një mbrojtje pothuajse të pakalueshme dhe një futboll të organizuar në perfeksion, spanjollët siguruan finalen e tyre të parë botërore pas 16 vitesh.
Por drama e vërtetë erdhi një natë më vonë në Atlanta. Anglia ishte shumë pranë finales pasi kaloi në epërsi në pjesën e dytë, por kampionët në fuqi nuk u dorëzuan. Me Lionel Messin në rolin e dirigjentit, Enzo Fernández barazoi në minutën e 85-të, ndërsa Lautaro Martínez shënoi golin e fitores në kohën shtesë, duke vulosur përmbysjen spektakolare 2 me 1 dhe kualifikimin e Argjentinës në një tjetër finale të Kupës së Botës.
Tani skena është gati për aktin e fundit. Argjentina e Lionel Messit kundër Spanjës së Lamine Yamalit. Kampionët në fuqi përballë skuadrës më dominuese të turneut. Sulmi më i mirë përballë mbrojtjes më solide. Një finale që premton spektakël, emocione dhe një kapitull të ri në historinë e futbollit botëror. Kush do ta ngrejë trofeun më të çmuar të futbollit? Përgjigjja do të vijë këtë të diel, në finalen që e pret e gjithë bota, nga ora 21:00.







