Grupi legjendar i rock-ut kosovar, Minatori, do të hapë zyrtarisht edicionin e gjashtë të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, me një mbrëmje të veçantë muzikore që do të mbahet më 4 korrik duke filluar nga ora 19:00, në Love Stairs, në Marigona Hill.
Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se këtë vit festivali do të nisë me një ngjarje historike, duke sjellë në skenë një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Nën qiellin e hapur të Marigona Hill, publiku pritet të përjetojë një atmosferë unike të mbushur me emocion, energji dhe nostalgji.
Sipas njoftimit grupi Minatori janë më tepër sesa një grup muzikor që nga vitet ’80. Me tingullin autentik rock, energjinë karakteristike dhe repertorin që ka shoqëruar breza të tërë, grupi është shndërruar në simbol të identitetit kulturor dhe frymës artistike të Kosovës.
Organizatorët kanë ftuar artdashësit dhe adhuruesit e rock-ut që të mos e humbasin këtë mbrëmje të veçantë, e cila pritet të shënojë nisjen e një tjetër kapitulli të suksesshëm të festivalit.







