Kori i Filharmonisë së Kosovës do ta përmbyllë sezonin artistik 2025/2026 me koncertin ‘KOHË • FJALË • ANDRRA’, i cili do të mbahet më 25 qershor, në ora 19:30, në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, në Prishtinë.
Nën kujdesin dhe organizimin e Filharmonisë së Kosovës, ky koncert vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin dhe afirmimin e muzikës artistike në vend.
Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës dhe me violinistin solist Festim Fanaj, publiku do të shijojë një program me vepra të kompozitorëve bashkëkohorë ndërkombëtarë, përfshirë Jennifer Lucy Cook, Eric Whitacre, Anders Edenroth, Ko Matsushita, Vasil S. Tole dhe Rafet Rudi.
Koncerti shënon mbylljen e një sezoni të suksesshëm artistik dhe sjell një udhëtim muzikor që ndërthur kohën, fjalën dhe ëndrrat përmes interpretimeve korale dhe instrumentale.







