Çdo vit, më 19 maj, shënohet “Dita Botërore e Lojës së Ndershme” (Fair Play), e cila promovon frymën e miqësisë, solidaritetit, tolerancës, përfshirjes dhe mos diskriminimit në sport. Kjo ditë synon të rikujtojë rëndësinë e ndershmërisë dhe respektit, si në garat sportive, ashtu edhe në jetën e përditshme.
Fillimisht, kjo ditë shënohej më 7 shtator, në përvjetorin e themelimit të Komitetit Ndërkombëtar të Fair Play-it në vitin 1963. Megjithatë, në vitin 2024, Organizata e Kombeve të Bashkuara e njohu zyrtarisht si një nga Ditët Ndërkombëtare të OKB-së dhe vendosi që, duke filluar nga viti 2025, “Dita Botërore e Lojës së Ndershme” (Fair Play), të festohet çdo 19 maj.
Parimi i Fair Play-it nxit respektin reciprok dhe vlerësimin e të tjerëve me dinjitet. Ai kontribuon në forcimin e barazisë, bashkon njerëz nga kultura të ndryshme dhe fuqizon të rinjtë, duke dëshmuar se sporti mund të jetë një mjet i fuqishëm për ndryshim shoqëror dhe ndërtim të komuniteteve më të forta. Po ashtu, luftimi i dhunës, dopingut dhe çdo forme të padrejtësisë në sport mbetet pjesë thelbësore e kësaj filozofie.







