Koktejet janë bërë pjesë e pandashme e kulturës moderne të bareve dhe mikpritjes në mbarë botën. Të përgatitura nga kombinime të ndryshme përbërësish, si pije alkoolike dhe joalkoolike, lëngje frutash, shurupe dhe aroma të veçanta ato vazhdojnë të fitojnë popullaritet te adhuruesit e shijeve kreative.
Çdo vit, më 13 maj, shënohet “Dita Botërore e Koktejve”, një datë që i kushtohet artit të miksologjisë apo kulturës së pijeve të përziera. Kjo ditë lidhet me publikimin e parë të njohur të përkufizimit të fjalës “cocktail”, i cili u botua më 13 maj të vitit 1806.
Përveç festimeve, kjo ditë shërben edhe për të promovuar konsumimin e përgjegjshëm dhe për të vlerësuar historinë e përgatitjes së koktejve. Në vende të ndryshme të botës organizohen evente, punëtori tematike dhe degustime, ndërsa shumë njerëz zgjedhin të provojnë kokteje klasike apo alternativa joalkoolike.
“Dita Botërore e Koktejve” sjell në vëmendje se shijet më të mira krijohen përmes kreativitetit, atmosferës së mirë dhe momenteve të bukura me njerëzit e dashur.







