Të mërkurën (29.04.26), nga ora 18:00, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, skena i takon fëmijëve dhe të rinjve nga grupe të ndryshme, si Evolution Dance, Mjellmat, Minatori, Let’s Dance, Leonora Dance, Let Center dhe Do Music. Vallëzimi kthehet në një gjuhë që i bashkon të gjithë, përtej fjalëve.
Kjo ngjarje organizohet për të shënuar këtë ditë të veçantë globale, që feston artin e lëvizjes. Për të 16-in vit me radhë, Evolution Dance vazhdon traditën si pjesë e CID – UNESCO, duke krijuar hapësirë për talentet e reja të shkëlqejnë.
Edicioni i këtij viti, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë, vendos në qendër fëmijët dhe të rinjtë, të cilët sjellin në skenë pasion, emocione dhe histori unike përmes performancave të tyre.
Festimet vazhdojnë edhe me një workshop të veçantë për vallëzimin Vals, më 30 prill nga ora 19:30 në studion Evolution Dance. Workshop-i udhëhiqet nga mentori Mentor Sejdiu (@mentidance), i cili vjen nga Kanadaja me mbi 20 vite përvojë dhe suksese në ballroom dhe show dance.
Aktiviteti është i hapur për të gjithë dhe me pagesë.
“Dita Botërore e Vallëzimit” nuk është vetëm festë, është një kujtesë se arti na bashkon dhe na jep zë, edhe kur nuk flasim.







