Pas përfundimit të një edicioni shumë konkurrues në ProCredit Superligë dhe ndeshjeve çerekfinale të “Play-off”-it, vëmendja tani zhvendoset te gjysmëfinalet, ku katër skuadrat më të mira synojnë titullin kampion. Kjo fazë pritet të jetë tejet e fortë, pasi secila skuadër do të luftojë për trofeun më të rëndësishëm të sezonit.
Përballja ndërmjet “Bashkimit” dhe “Borës” konsiderohet mjaft interesante. Prizrenasit e përfunduan sezonin e rregullt në vendin e dytë, ndërsa prishtinasit në vendin e tretë, duke arritur të eliminojnë “Sigal Prishtinën” në çerekfinale. “Bashkimi” numëron një titull kampioni (2018), ndërsa për “Borën” ky është një sukses historik, pasi për herë të parë është pjesë e “Play-off”-it.
Po aq e zjarrtë pritet të jetë edhe përballja mes “Trepçës” dhe “Pejës”, dy rivalëve tradicionalë të basketbollit kosovar. “Trepça” hyn në këtë fazë si lidere e sezonit të rregullt, kampione në fuqi dhe fituese e Kupës, me një bilanc mbresëlënës prej 25 fitoresh dhe vetëm tri humbjesh.
Në anën tjetër, “Peja”, ndonëse e pesta në renditje, tregoi forcë në çerekfinale duke eliminuar “Golden Eagle Yllin”. Historikisht, “Trepça” ka gjashtë tituj kampioni (përfshirë dy të fundit), ndërsa “Peja” pesë, me triumfin e fundit në vitin 2023.
Ndeshjet e para zhvillohen të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje, ku pritet spektakël dhe rivalitet i madh në parket.
GJYSMËFINALJA I
E mërkurë
19:30 Bashkimi – Bora
E enjte
19:30 Trepça – Peja







