Mjedisi psikosocial i punës përkufizohet nga mënyra se si puna është e dizajnuar, e organizuar dhe e menaxhuar si dhe nga praktikat organizative që formësojnë kushtet e përditshme të punës. Faktorë të tillë si ngarkesa e punës, orari i punës, qartësia e roleve, autonomia, mbështetja dhe proceset e drejta e transparente ndikojnë drejtpërdrejt në përjetimin e punës nga punonjësit si dhe në sigurinë, shëndetin dhe performancën e tyre.
Kur këta faktorë ndikojnë negativisht tek punonjësit, ata shndërrohen në rreziqe që, njësoj si rreziqet fizike, kimike dhe biologjike, duhet të identifikohen dhe menaxhohen me kujdes për të garantuar një ambient pune të sigurt dhe të shëndetshëm.
Prandaj, sot më 28 prill, shënohet “Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, e cila këtë vit i kushtohet rëndësisë së krijimit të një mjedisi të shëndetshëm psikosocial në vendin e punës.
Kjo ditë shërben si një thirrje për të gjithë punëdhënësit dhe institucionet që të vendosin në qendër mirëqenien e punonjësve dhe të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e një kulture pune të shëndetshme dhe të qëndrueshme.







