Veshkat luajnë një rol të pazëvendësueshëm në trupin e njeriut. Ato filtrojnë gjakun, largojnë toksinat dhe mbetjet nga organizmi, rregullojnë tensionin e gjakut, balancojnë lëngjet dhe mineralet si dhe ndihmojnë në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Andaj duke parë rëndësinë e tyre në jetën e secilit, sot kremtojmë “Ditën Botërore të Veshkave”, e cila shërben për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë jetike që kanë veshkat, në funksionimin e organizmit dhe për parandalimin e sëmundjeve. Çdo vit “Dita e Veshkave” shënohet në të enjten e dytë të muajit mars. Sëmundjet e veshkave shpesh herë zhvillohen në heshtje, pa shenja të dukshme në fazat e hershme, duke e bërë zbulimin e tyre të vonshëm dhe një rrezik serioz për shëndetin. Ekspertët theksojnë se faktorë si diabeti, hipertensioni, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik rrisin ndjeshëm rrezikun për probleme me veshkat. Për këtë arsye, kontrolli i rregullt mjekësor dhe analizat periodike janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë.
Në “Ditën Botërore të Veshkave”, mesazhi kryesor mbetet parandalimi i sëmundjes së tyre, një stil jetese i shëndetshëm, ushqyerja e balancuar, konsumimi i mjaftueshëm i ujit dhe kujdesi ndaj tensionit dhe nivelit të sheqerit në gjak, që mbeten hapa të thjeshtë, por vendimtarë për ruajtjen e shëndetit të veshkave.







