Edhe kjo javë ka sjell shumëçka nga teknologjia. Sipërmarrësi shqiptar Uljan Sharka, njëherit CEO i kompanisë iGenius me seli në Milano, po ndërton një nga superkompjuterët më të mëdhenj në botë për Inteligjencën Artificiale. Projekti i quajtur “Colosseum”, do të fuqizojë trajnimin në kohë reale të modeleve gjigante të AI-së, duke përfshirë modele me mbi një trilion parametra, me ndikim të pritshëm në sektorë, si financa, shëndetësi dhe administratë publike.
Ndërkohë, OpenAI po këtë javë bëri të ditur se po punon për lansimin e altoparlantit të saj të parë inteligjent. Pajisja pritet të ketë kamerë të integruar dhe teknologji të ngjashme me Face ID për identifikim të personalizuar, me çmim të parashikuar nga 200 deri në 300 dollarë, ndërkohë pritet të dal në treg në vitin 2027.
Kur jemi tek inteligjenca artificiale, po këtë javë, Papa Leo XIV u ka bërë thirrje priftërinjve që të mos përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e predikimeve, duke theksuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë përvojën shpirtërore dhe reflektimin personal.
Në fushën e shkencës, studime gjermane tregojnë se këndimi mund të rrisë imunitetin deri në 240% brenda një ore, duke shtuar ndjeshëm nivelin e Imunoglobulinës A, një antitrup kyç kundër infeksioneve.
Po këtë javë, Autoriteti i Konkurrencës së Belgjikës ka njoftuar se ka nisur hetim ndaj Google për praktika të mundshme abuzive në tregun e reklamimit digjital, pas ankesave për shfrytëzim të pozitës dominuese.







