Kosova do të marrë pjesë në Bienalen e 61-të, të Venecias 2026, me përfaqësues zyrtar artistin, Brilant Milazimi. Ai do të prezantojë instalacionin pikturë “Hard Teeth” (Dhëmbë të Fortë), i kuruar nga José Esparza Chong Cuy.
Vepra përbëhet nga një pikturë peizazhi 17 metra e gjatë, që trajton temën e pritjes, pasigurisë dhe tranzicionit të Kosovës. Instalacioni fton vizitorët në një përvojë intensive vizuale dhe reflektuese.
Brilant Milazimi (lindur në Gjilan, 1994) është artist bashkëkohor i njohur për përdorimin e figurave të ekzagjeruara dhe motivin e dhëmbëve të shtrënguar për të shprehur tensione shoqërore. Në vitin 2020, ai fitoi çmimin Artistët e së Nesërmes në Kosovë.
Pjesë e komisionit në Pavijonin e Kosovës është Hana Halilaj, mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky prezantim shënon një hap të rëndësishëm në afirmimin e artit bashkëkohor kosovar në skenën ndërkombëtare.







