Në epokën e rrjeteve sociale, aplikacioneve dhe shërbimeve online, informacioni personal është i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta online. Andaj, çdo vit, më 28 janar, shënojmë “Ditën Ndërkombëtare e Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave”, dedikuar mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë në internet.
Në një botë me një hov zhvillimi kaq të madh ‘digjital’, kjo ditë synon ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së të dhënave dhe respektimin e të drejtave të përdoruesve. Kjo ditë na kujton të gjithëve, që të jemi më të kujdesshëm me të dhënat tona në internet dhe po ashtu nxit institucionet të zbatojnë praktika të sigurta dhe transparente.
Qëllimi kryesor i kësaj dite, është edukimi i publikut dhe nxitja e kompanive për të zbatuar standard mbrojtës, sepse ruajtja e privatësisë nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një parakusht për një shoqëri të besueshme dhe të drejtë në epokën e informacionit.







