Kreativiteti i ndihmon njerëzit të shprehin ide, emocione dhe këndvështrime të reja përmes artit, shkrimit, muzikës apo inovacionit. Pikërisht janari, shënon “Muajin Ndërkombëtar të Kreativitetit”, një periudhë kjo e dedikuar për zbulimet e reja, nxitjen e shpirtit krijues dhe të kuptuarit se secili nga ne ka aftësi për të krijuar diçka të re.
Ky muaj është një ftesë për të rikthyer vëmendjen te imagjinata, risitë dhe projektet që na bëjnë të ndihemi mirë. Sepse, krijimtaria është një nga dhuratat më të mëdha të qenies njerëzore. Ajo vjen në forma të ndryshme, që nga arti dhe letërsia, deri te zgjidhjet praktike në punë dhe mënyrat e reja të mendimit në jetën e përditshme. Ky muaj është ideal për t’i dhënë vetes një nismë të re, për të nisur diçka që e kemi shtyrë prej kohësh apo për të provuar një aktivitet që gjithmonë na ka tërhequr. Qoftë shkrimi i një ditari, mësimi i një aftësie të re apo krijimi i lidhjeve të reja miqësore, gjithçka që juve ju bënë mirë, mendoni ta filloni tani. Prandaj, në këtë fillim vit, punoni që të rrisni vetëbesimin tuaj, të forconi lidhjet me njerëzit dhe të jeni ndryshimi që e doni.







