Viti 2025, ishte një bum emocionesh në sport, duke nisur nga suksesi historik i Kosovës, që për herë të parë u kualifikua në fazën play-off të Kupës së Botës, një moment që ngriti lart futbollin tonë dhe e futi Kosovën në hartën e madhe të futbollit evropian dhe botëror. Me këtë rast, Kosova do të ketë dy ndeshje vendimtare, më 26 mars 2026, ndaj Sllovakisë dhe me 31 mars 2026, kundër fituesit të duelit Turqi – Rumani, që të kualifikohet në Kupën e Botës.
Në futbollin vendor, Drita u shpall kampione e Kosovës duke siguruar kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ndërsa Prishtina mori Kupën e Kosovës. Në basketboll, Trepça vazhdoi dominimin me titullin e gjashtë dhe Kupën e Kosovës, ndërsa klubet tona vazhduan rrugëtimin në arenën evropiane.
Evropa e pa historinë e madhe të PSG-së, që më në fund fitoi Ligën e Kampionëve dhe koleksionoi trofe në çdo garë, kurse Ousmane Dembélé u shpall fitues i Topit të Artë 2025.
Chelsea fitoi edicionin e parë të zgjeruar të Kupës së Botës për Klube.
Në basketboll, Oklahoma City Thunder u kthye te titulli i NBA pas më shumë se një dekade, ndërsa Fenerbahçe u rikthye në majë të EuroLeague.
Tenisi solli dominim të Sinner dhe Alcaraz te meshkujt dhe shpërndarje trofesh te femrat mes Keys, Gauff, Świątek dhe Sabalenka.
MotoGP u rikthye nën sundimin e Marc Márquez, i cili mori titullin e shtatë botëror me një sezon historik te Ducati.
Dhe në Formula 1, një nga momentet më të mëdha të vitit: Lando Norris u shpall kampion bote për herë të parë, pas një sezoni të fortë dhe luftës së ngushtë deri në fund.
Ky ishte 2025-shi, vit i rekordeve, rikthimeve dhe historive që do të mbahen në mend gjatë.







