Radio KFOR-i: Ju jeni Komandanti i parë i KFOR-it që udhëheq këtë mision për herë të dytë. Çfarë do të thotë kjo mundësi për ju personalisht dhe profesionalisht dhe si ju ndihmon përvoja e mëparshme në kuptimin e dinamikave aktuale të sigurisë në Kosovë?
Komandanti i KFOR-it, Özkan ULUTAŞ: Është një nder dhe një përgjegjësi e thellë të shërbej sërish si komandant i KFOR-it. Rikthimi në këtë mision më lejon të ndërtoj mbi përvojën dhe marrëdhëniet e zhvilluara gjatë mandatit tim të mëparshëm, duke sjellë gjithashtu një kuptim më të thellë të dinamikave në zhvillim të rajonit. Duke shërbyer këtu më parë, kam parë nga afër se si stabiliteti në Kosovë varet nga besimi, dialogu dhe bashkëpunimi si dhe nga angazhimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kjo perspektivë më ndihmon të përballem me sfidat aktuale me realizëm dhe besim – realizëm për kompleksitetin e mjedisit dhe besim në profesionalizmin dhe përshtatshmërinë e KFOR-it. Në fund, kjo mundësi e dytë nuk është thjesht një vazhdim i komandës, por një angazhim i ripërtërirë ndaj popullit të Kosovës dhe ndaj misionit të qëndrueshëm të NATO-s, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Ky emërim sjell një ndjenjë vazhdimësie dhe dëshmon përkushtimin e palëkundur të Aleancës ndaj stabilitetit rajonal. Përvoja ime e mëparshme do të jetë një aset themelor gjatë shërbimit tim të dytë në krye të KFOR-it.
Radio KFOR-i: KFOR-i ka qenë një faktor kyç i stabilitetit në Kosovë për më shumë se dy dekada. Nga këndvështrimi juaj, cilat janë prioritetet dhe sfidat kryesore sot për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë?
Komandanti i KFOR-it, Özkan ULUTAŞ: Ruajtja e paqes dhe sigurisë në Kosovë mbetet një prioritet dhe një përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve vendore, partnerëve ndërkombëtarë dhe vetë komuniteteve. Prioritetet tona kryesore sot, janë para së gjithash të sigurojmë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit, pavarësisht prejardhjes apo etnisë. Kjo nënkupton parandalimin e çdo mundësie për tensione të shtuara apo dhunë. Po aq i rëndësishëm është ndërtimi i besimit, veçanërisht në veri të Kosovës përmes promovimit të dialogut, përfshirjes dhe bashkëpunimit në nivel lokal. Në të njëjtën kohë, përballemi me disa sfida kyçe. Më i ndërlikuari është tensioni politik i vazhdueshëm, i cili shpesh lidhet me marrëdhënien e pazgjidhur mes Prishtinës dhe Beogradit. Incidentet sporadike apo mosmarrëveshjet politike mund të përshkallëzohen shpejt nëse nuk menaxhohen me kujdes. Për më tepër, dezinformimi dhe ndikimet e jashtme ndonjëherë minojnë përparimin dhe e bëjnë më të vështirë pajtimin. Në një mjedis kaq kompleks dhe shumëdimensional, i karakterizuar nga narrativa dhe qëndrime të kundërta, lufta kundër dezinformimit, keqinformimit dhe propagandës do të jetë një parakusht thelbësor për të nxitur besimin e përgjithshëm, besueshmërinë dhe respektin. Pavarësisht këtyre sfidave, besoj se situata mbetet e qetë por e brishtë dhe roli ynë është ta ruajmë atë stabilitet përmes paanshmërisë, bashkëpunimit dhe angazhimit të vazhdueshëm me njerëzit e Kosovës. Qëllimi afatgjatë nuk është vetëm ruajtja e paqes, por ndërtimi i një klime ku paqja bëhet e qëndrueshme – e bazuar në besim, përfshirje dhe respekt të ndërsjellë. Si komandant i KFOR-it, prioriteti im gjatë mandatit do të jetë ndjekja e misionit tonë për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit e Kosovës.
Radio KFOR-i: Si siguroheni që KFOR-i të jetë gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive çdo sfide të mundshme të sigurisë, duke vazhduar të mbështesë një mjedis të qetë, sigurt dhe të qëndrueshëm?
Komandanti i KFOR-it, Özkan ULUTAŞ: Gatishmëria e KFOR-it bazohet në një kombinim të vigjilencës, përshtatshmërisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë. Ne ruajmë një nivel të lartë përgatitjeje operacionale përmes trajnimeve të vazhdueshme, vlerësimeve të rregullta dhe koordinimit të ngushtë me selinë e NATO-s dhe me institucionet vendore. Struktura jonë shumëkombëshe na jep fleksibilitetin për të shfrytëzuar një gamë të gjerë aftësish dhe ekspertizash, duke na lejuar të reagojmë shpejt dhe në mënyrë të përshtatshme, ndaj çdo sfide të mundshme.
Në të njëjtën kohë, gatishmëria nuk ka të bëjë vetëm me pozicionimin ushtarak, por edhe me kuptimin e mjedisit, ruajtjen e besimit me të gjithë njerëzit e Kosovës dhe sigurimin e komunikimit të hapur me aktorët lokalë dhe ndërkombëtarë.
Ky ekuilibër mes parandalimit dhe dialogut i mundëson KFOR-it të përmbushë mandatin e tij në mënyrë efektive, duke vazhduar të mbështesë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë.
I kushtoj rëndësi të madhe komunikimit të bazuar në besim, bashkëpunimit dhe koordinimit si dhe veprimit në mënyrë transparente dhe të paanshme, brenda kuadrit të mandatit tonë. Në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive tona, do të jemi të vendosur dhe të qartë. Do të qëndrojmë të përkushtuar për të parandaluar përshkallëzimin dhe në rast përshkallëzimi, do të jemi të gatshëm të marrim përgjigjen më të sigurt dhe më efektive, duke pasur parasysh se përdorimi i forcës mbetet opsioni i fundit.
Radio KFOR-i: Qasja e paanshme e KFOR-it ka fituar besim të fortë mes njerëzve në Kosovë. Sa i rëndësishëm është ky besim për suksesin e misionit dhe si planifikoni ta forconi më tej bashkëpunimin me institucionet vendore dhe qytetarët e Kosovës?
Komandanti i KFOR-it, Özkan ULUTAŞ: Besimi është gur-themel i suksesit të misionit tonë dhe paanshmëria është kapitali ynë më i vlefshëm. Si komandant, besoj fort se asnjë operacion, pavarësisht madhësisë apo burimeve, nuk mund të jetë efektiv pa besim të ndërsjellë mes forcave tona, institucioneve vendore dhe njerëzve të Kosovës. Ky besim siguron jo vetëm siguri, por edhe legjitimitet dhe pranimin e pranisë sonë.
Për të forcuar këtë bashkëpunim, qasja ime bazohet në tre parime: transparencë, respekt dhe partneritet. Do të vazhdojmë të angazhohemi hapur me liderët dhe institucionet vendore, duke siguruar që objektivat dhe veprimet tona të kuptohen qartë dhe të jenë në përputhje me nevojat e popullatës.
Respekti për kulturën, traditat dhe ndjeshmërinë lokale do të mbetet në zemër të sjelljes sonë të përditshme.
Çdo ushtar nën komandën time e kupton se fitimi i besimit të njerëzve është po aq i rëndësishëm sa ruajtja e sigurisë në terren. Besimi nuk jepet; ai ndërtohet dhe ne e ndërtojmë këtë çdo ditë përmes profesionalizmit, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të sinqertë ndaj paqes.
Ashtu si në mandatin tim të mëparshëm, do të përmbushim detyrat tona në mënyrë transparente dhe të paanshme, në përputhje të plotë me mandatin tonë të bazuar në Rezolutën 12/44 të KS të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake – me sundimin e ligjit dhe me udhëzimet e komandave tona më të larta, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë aktorët përkatës.
Radio KFOR-i: Si e shihni rolin e KFOR-it në të ardhmen në Kosovë dhe çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillnit të gjithë njerëzve për paqen, bashkëjetesën dhe rëndësinë e dialogut?
Komandanti i KFOR-it, Özkan ULUTAŞ: E shoh rolin e KFOR-it duke vazhduar të evoluojë në përputhje me nevojat e të gjithë njerëzve të Kosovës. Misioni ynë mbetet i bazuar në mandatin tonë për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë, pavarësisht prejardhjes apo besimit. Edhe pse situata e sigurisë është përmirësuar ndër vite, ruajtja e paqes kërkon vigjilencë të vazhdueshme, paanshmëri dhe bashkëpunim me institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe më e rëndësishmja, vetë qytetarët.
Paqja nuk është diçka që mund të imponohet, ajo duhet të ndërtohet, ditë pas dite, përmes besimit dhe dialogut. Porosia ime për të gjithë njerëzit në Kosovë është e thjeshtë por jetike: bashkëjetesa fillon me mirëkuptim dhe respekt. Dialogu nuk është shenjë dobësie; është shprehje force, guximi dhe mençurie. Duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke punuar së bashku, ju formësoni një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë – një të ardhme ku diversiteti është burim force, jo ndarje.
KFOR-i do të mbetet i përkushtuar, i paanshëm dhe i gatshëm për ta mbështetur këtë rrugë, gjithmonë në shërbim të paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit e Kosovës.
Ne do të vazhdojmë të veprojmë si një trup i vetëm, me vetëdijen se jemi “Së Bashku Më të Fortë Për Paqe”.







