Sonte (19 nëntor), Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, do të performojnë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Ky spektakël muzikor organizohet në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci, me mbështetje nga Qeveria e Kosovës, MKRS dhe Ambasada e Kosovës në Romë. Ngjarja vjen si hyrje për prezantimin e Filharmonisë së Kosovës në Romë, më 23 nëntor 2025, në kuadër të aktiviteteve të Jubileut në Vatikan, ku do të interpretohet oratoriumi “La Tempesta sul Lago” i Domenico Bartoluccit.
Në koncert marrin pjesë solistët: Besa Llugiqi – soprano (Kosovë), Ivana Hoxha – mezosoprano (Shqipëri), Carlos Cardoso – tenor (Portugali) dhe Biagio Pizzuti – bas (Itali), ndërsa koret janë përgatitur nga dirigjenti Hajrullah Syla.
Pas koncertit në Prishtinë, performanca do të zhvillohet edhe në Romë, në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, duke shënuar rikthimin e Filharmonisë së Kosovës në Vatikan pas gati një dekade.







