Shumë studime tregojnë se një dietë e balancuar vegane mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të zemrës, uljen e rrezikut për sëmundje kronike dhe mbajtjen e një peshe trupore të qëndrueshme. Andaj, çdo vit, më 1 nëntor, në mbarë botën shënohet ‘Dita Botërore Vegane’, që i kushtohet ndërgjegjësimit për mënyrën vegane të jetesës dhe ndikimin e saj në shëndet, mjedis dhe mirëqenien e kafshëve.
Kjo ditë u krijua për herë të parë në vitin 1994 nga The Vegan Society në Mbretërinë e Bashkuar, për të përkujtuar themelimin e organizatës dhe për të promovuar vlerat e jetës pa shfrytëzim të kafshëve. Një nga aspektet më të rëndësishme të veganizmit është ndikimi pozitiv në mjedis. Prodhimi i ushqimeve me bazë bimore kërkon më pak ujë, tokë dhe energji sesa prodhimi i mishit dhe produkteve shtazore. Për më tepër, zvogëlimi i konsumit të mishit ndihmon në uljen e emetimeve të gazeve serrë, një hap konkret drejt luftës kundër ndryshimeve klimatike. Në thelb ‘Dita Botërore Vegane’, flet për dhembshuri dhe respekt ndaj çdo forme jete. Ajo na kujton se kafshët nuk janë produkte, por qenie të ndjeshme që meritojnë trajtim me dinjitet. Ky reflektim shtrihet edhe përtej ushqimit, drejt një mënyre jetese më të ndërgjegjshme dhe më humane.







