Sipas të dhënave të ‘UNAIDS’, mbi 39 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë aktualisht me HIV, ndërsa vetëm në vitin 2023 u regjistruan rreth 1.3 milionë infeksione të reja. Për më tepër, nga fillimi i epidemisë e deri sot, mbi 40 milionë persona kanë humbur jetën si pasojë e AIDS-it. Edhe pse trajtimet moderne kanë ulur ndjeshëm vdekshmërinë dhe kanë mundësuar jetë të gjatë e cilësore për personat që jetojnë me HIV, stigma dhe mungesa e informacionit ende mbeten pengesa të mëdha në parandalim dhe trajtim.
Çdo vit, me 1 dhjetor, bota bashkohet për të rritur ndërgjegjësimin rreth HIV/AIDS, për të kujtuar jetët e humbura dhe për të mbështetur personat që jetojnë me këtë virus. Që nga viti 1988, kjo ditë synon jo vetëm informimin, por edhe forcimin e solidaritetit dhe uljen e paragjykimeve. Falë mjekësisë bashkëkohore, personat që diagnostikohen herët dhe trajtohen rregullisht me terapi antiretrovirale mund të jetojnë një jetë pothuajse të barabartë me atë të personave pa HIV.
Format kryesore të parandalimit përfshijnë: edukimi, përdorimi i prezervativëve, testimi i hershëm dhe përdorimi i profilaksisë para-ekspozuese për ata që janë në rrezik më të lartë. Ndërkohë që shkenca po përparon, paragjykimet shpesh ecin më ngadalë. Shumë persona ende përballen me izolim social, diskriminim në vendin e punës, frikë nga diagnostikimi dhe heshtje të imponuar nga opinioni publik.







